
Kodi Penal i Ramës – institucionalizimi i represionit në emër të shtetit ligjor
- Aureed Kanaci
- Aug 1
- 2 min read

Kodi i ri Penal i propozuar nga qeveria e Edi Ramës përfaqëson një nga aktet më shqetësuese të kësaj periudhe politike. Jo për shkak të natyrës së tij ligjore formale, por për shkak të qëllimit politik që përcjell dhe pasoja afatgjata që prodhon. Nën petkun e një reforme penale dhe përmirësimit të sistemit të drejtësisë, fshihet një përpjekje e qëllimshme për të shndërruar ligjin në instrument të kontrollit total mbi shoqërinë, përmes goditjes së qytetarit aktiv, mendimit kritik, lirisë së shprehjes dhe çdo forme opozitarizmi civil.
Kjo nismë legjislative, e ndërtuar dhe promovuar me retorikën e zakonshme të “modernizimit”, në thelb është një inxhinieri ligjore që synon të garantojë mburojë penale për elitën politike dhe, njëkohësisht, të ashpërsojë ndëshkimin ndaj qytetarit të zakonshëm. Është e pamundur të mos evidentohet natyra e dyfishtë e këtij kodi: nga njëra anë, një regjim ndëshkimesh të rënda për shkelje që gjetkë në Europë trajtohen me masa administrative; nga ana tjetër, një tolerancë e heshtur dhe lehtësuese për korrupsionin, abuzimin me pushtetin dhe shpërdorimin e fondeve publike.
Edhe më shqetësuese janë dispozitat që krijojnë premisa ligjore për rishikimin dhe lehtësimin e dënimeve për individë të dënuar për krime të rënda penale — përfshirë autorë vrasjesh dhe eksponentë të krimit të organizuar. Këto nuk janë thjesht devijime teknike; janë lëvizje të mirëllogaritura, që konsolidojnë një aleancë të heshtur midis pushtetit dhe rrjeteve kriminale, duke i shpërblyer këto të fundit me favore konkrete në këmbim të lojalitetit të tyre politik dhe elektoral.
Aspekti më alarmant i këtij projekti është padyshim përmbajtja e tij ideologjike. Përmes formulimeve të paqarta dhe referencave të rrezikshme ndaj rendit publik, synohet kriminalizimi i protestës, kufizimi i të drejtës për organizim dhe rikthimi, në mënyrë të tërthortë, i koncepteve totalitare si “agjitacioni dhe propaganda”. Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj fjalës së lirë dhe pluralizmit politik, një përpjekje për të rikrijuar një regjim ku çdo kritikë ndaj qeverisë interpretohet si vepër penale dhe, rrjedhimisht, si kërcënim për sigurinë kombëtare.
Në këtë realitet, Shqipëria nuk ka më të bëjë me një sistem funksional të shtetit të së drejtës, por me një model të kontrollit ideologjik të ngjashëm me regjimet autoritare të Amerikës Latine, ku ligji përdoret për të shtypur, jo për të mbrojtur.
Kodi i propozuar nuk është reformë ligjore; është një projekt i sofistikuar politik për të ligjëruar frikën, për të kodifikuar shtypjen dhe për të garantuar mbijetesën e pushtetit përmes mjetesh juridike. Ai përfaqëson një deformim të hapur të rendit kushtetues, një sulm ndaj barazisë para ligjit, dhe një vendosje flagrante të qytetarit përballë një shteti represiv, ku ai ndëshkohet për një pankartë ndërkohë që politikani i korruptuar gëzon pandëshkueshmëri të plotë.
Nëse ky kod miratohet, Shqipëria do të përballet me një regjim të ri politik e juridik, ku ligji nuk do të jetë më mbrojtës i të drejtave të individit, por instrument i kontrollit dhe frikës. Është detyrë e çdo qytetari të ndërgjegjshëm, çdo profesionisti të ndershëm, çdo intelektuali dhe çdo përfaqësuesi të opozitës që të mos heshtë. Sepse në momente kur shtypja vjen e veshur me mantelin e ligjit, heshtja nuk është më neutralitet – është bashkëpunim. Dhe në këtë udhëkryq historik, rezistenca qytetare nuk është një zgjedhje – është një detyrë kombëtare.




Comments